Lazim Destani merr pjesë në Samitin e Dytë të Diasporës Shqiptare
Lazim Destani mori pjesë në Samitin e dytë të Diasporës Shqiptare, që me mbështetjen e autoriteteve shtetërore i zhvilloi punimet këto ditë në Tiranë. Në ceremoninë e hapjes së Samitit ishin prezent autoritete shtetërore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut si dhe përfaqësues të shumtë nga komuniteti i biznesit të diasporës shqiptare.
Filantropi dhe biznesmeni Lazim Destani, në cilësinë e përfaqësuesit të Komunitetit Shqiptar nga Gjermania, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në hapje të Samitit tha se ai e çmon shumë mbështetjen dhe përkujdesjen e autoriteteve shqiptare për organizimin e Samitit.
“Motoja ime është: Të bashkuar jemi më të fortë. Kohët që po jetojmë kërkojnë bashkim potencialesh dhe vlerash. Të gjithëve këtu na ka sjellë dashuria ndaj atdheut, dhe sot më shumë se kurrë atdheu ka nevojë për ne. Le t’i bashkojmë forcat tona duke dhënë gjithë fuqinë që kemi, materiale, ideore dhe realizuese. Unë e çmoj lart të gjithë spektrin politik, si në Shqipëri ashtu dhe në vendet e rajonit tonë, por kur është në pyetje zhvillimi ekonomik, interesat politike e partiake duhet të tejkalohen.”- tha ai.
Punimet e samitit vazhduan me mbajtjen e katër paneleve paralele me tema të ndryshme. I ftuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Lazim Destani mori pjesë në Panelin me temë, Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm. Këtu gjashtë panelistët e pranishëm zhvilluan analiza e diskutime mbi gjetjen e rrugëve më të mira për zhvillimin ekonomik të rajonit.
“Është gjerësisht e ditur se ekonomia e një vendi është e lidhur ngushtë me politikën dhe sigurinë. Andaj do t’u bëja thirrje politik-bërësve në trojet tona, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij aspekti pasi investitorët, qofshin nga diaspora apo të tjerë, për investimet e tyre kërkojnë stabilitet politik dhe duan të ndiejnë siguri. Andaj uroj që ky Samit të jetë një forum i mirëfilltë dhe kontribues për krijimin e politikave të shëndosha shtetërore që krijojnë lehtësira për investimet nga diaspora.”- tha Lazim Destani gjatë diskutimeve në panel.