Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Shqiptare në Botë, në Zagreb të Kroacisë
Lazim Destani me ftesë të Lidhjes Shqiptare në Botë, mori pjesë në kuvendin zgjedhor të Lidhjes, në Zagreb të Kroacisë. Atje ai takoi vëllezërit Mikel e Simon Kuzhnini si dhe drejtuesit e tjerë të kësaj organizate.
Në këtë ngjarje ishin prezent shumë bashkathdhetarë të z.Destani, nga Kroacia, Gjermania e nga vende të tjera europiane. I pranishëm gjithashtu ishte edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.
Në punimet e Kuvendit, Lidhja Shqiptare në Botë e shpalosi platformën si dhe nënvizoi arritjet e shoqatës në dekadat e fundit. U theksua roli i rëndësishëm në zhvillimin e etnisë e në promovimin e identitetit etno-kulturor duke implementuar shumë projekte me emërues të përbashkët – integrimin gjithëshqiptar. Në mënyrë të veçantë u nënvizua roli i LShB për forcimin e lidhjeve të diasporës me trojet etnike dhe sidomos përfaqësimi i interesave të shqiptarëve të diasporës te organet shtetërore të vendeve nga vijnë ata.
Ndërsa Presidenti Stipe Mesiq u shpreh se shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e veta, duhet të punojnë sa më shumë në rrugën europiane. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se ata duhet t’i standardizojnë dhe përafrojnë sa më shumë ligjet mes vendeve të veta pasi kjo do të ndihmonte që si komb, edhe pse në shtete të ndryshme, të funksionojnë të bashkuar.
Lazim Destani në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi drejtuesit e Lidhjes Shqiptare në Botë, kryetarin Kuzhnini si dhe të gjithë aktivistët e kësaj shoqate duke u uruar suksese në të ardhmen. Ai gjithashtu shprehu edhe mirënjohje për popullin mik kroat dhe në mënyrë të veçantë për z. Stipe Mesiq si dhe rolin e tij të rëndësishëm për çështjen kombëtare shqiptare.
“Në mënyrë të pandalshëm të kontribuoni për çështjen kombëtare sepse vetëm kjo është mënyra që ne si komb të zhvillohemi dhe ta arrijmë bashkimin. Ne nuk duhet vetëm t’i mbajmë sytë kah Europa, ne duhet vazhdimisht të punojmë që trojet tona t’i bëjmë ‘Europë’, vetëm kjo është mënyra që do të na shpie drejt bashkimit” – tha Lazim Destani në përmbyllje të fjalës përshëndetëse.