Kukës / Lazim Destani nderohet me titullin “Çelësi i Qytetit” të Kukësit

Me datë 7 Nëntor, Lazim Destani mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Shqiponjës monumentale në hyrje të qytetit të Kukësit.

Këtë vepër arti Lazim Destani ia dhuroi Shqipërisë në vitin 2012 me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit. Shqiponja monumentale për disa vite qëndroi krenare në hyrje të Tiranës, ndërsa u hoq nga aty për shkak të punimeve në Unazën e Madhe. Tashmë kjo vepër arti qëndron e denjë e krenare në hyrje të qytetit të Kukësit.

Po në këtë ditë të inaugurimit të Shqiponjës monumentale në Kukës, me ftesë nga Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, z. Destani ka realizuar një vizitë në këtë Bashki. Gjatë vizitës, përmes një ceremonie zyrtare, Kryetari Halilaj i ka akorduar z. Destani titullin “Çelësi i Qytetit” të Kukësit, si dhe një Çertifikatë Mirënjohjeje.

Me aktin e dorëzimit të “Çelësit të Qytetit” z. Halilaj e falënderoi z. Destani si dhurues i kësaj Shqiponje monumentale, ndërsa me këtë rast ndër të tjera ai tha, - Kjo është një dhuratë simbolike që përfaqëson bashkimin e trojeve shqiptare, dhe besoj është gjetja më e duhur që Shqiponja të jetë në malet e qytetit të Kukësit, në qytetin e bujarisë, mikpritjes e të traditave shqiptare. Gjej rastin t’ju dorëzoj “Çelësin e Qytetit” të Kukësit dhe Çertifikatën e Mirënjohjes për kontributin që keni dhënë në vazhdimësi në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni.

Pas mbarimit të këtij akti te zyrat e Bashkisë, gjithë së bashku, Kryetari Halilaj me stafin e tij, Lazim Destani me miqtë e tij të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare e nga diaspora, autoritetet e zonës së Kukësit, si dhe ish-Kryeministri Pandeli Majko, u nisën për te ceremonia e inaugurimit të Shqiponjës monumentale, në Hyrje të Kukësit.

Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë z. Albert Halilaj ndër të tjera tha, - Jo rastësisht është zgjedhur kjo pikë për vendosjen e Shqiponjës. Është pika që bashkon trojet shqiptare, Kukësin, Maqedoninë dhe Kosovën. Në emër të qytetarëve të Kukësit falënderoj z. Lazim Destani për simbolikën dhuruar qytetit të Kukësit. Unë ju falënderoj të gjithëve, familjes Destani i uroj shëndet e mbarësi.

Ndërsa z. Pandeli Majko në fjalën e tij përshëndetëse theksoi, - Kjo Shqiponjë është ndër simbolet më të veçanta që Shqipëria ka shënuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ajo vjen këtu në Kukës si një simbol i veçantë për atë që, kuksianët, hasjanët, tropojanët, e sidomos, po kthehem te kuksianët, i kanë dhënë historisë së Shqipërisë. E ta gëzoni Shqiponjën sepse shqiponja të vërtetë keni qenë gjatë gjithë historisë së Shqipërisë!

Në vijim po e sjellim të plotë fjalën përshëndetëse të Lazim Destanit:

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot ndodhem në mesin tuaj këtu në Kukës, ku po promovohet përurimi i kësaj Shqiponje, simbol dhe krenari e jona kombëtare.

Siç e dimë, kjo Shqiponjë fluturoi nga Tirana për tu vendosur këtu në Kukës. Në Tiranë, vendit ku qëndroi për disa vite, i dha emrin “Sheshi Shqiponja”, ndërsa erdhi këtu sepse siç duket, Shqiponjat i duan malet e larta.

Për angazhimin që kjo Shqiponjë të vendoset në Kukës, ju falënderoj personalisht juve zoti Halilaj si dhe stafin e Bashkisë që ju drejtoni.

Juve zoti Pandeli Majko ju falënderoj gjithashtu për angazhimin tuaj që kjo Shqiponjë të vijë këtu në Kukës, në këtë qytet me tradita të lashta kombëtare, e të njohur për moton “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.

Të nderuar qytetarë të Kukësit dhe gjithë ju bashkëkombës të dashur, si dhurues i kësaj vepre arti, sot në këtë ceremoni kam të njëjtat emocione siç i kisha kur ky monument u vendos në Tiranë me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Gëzimi dhe emocionet janë të njëjta pasi Shqiponja Dykrenare është në zemrën e çdo shqiptari.

Unë vij nga katundi Bozovcë i malësisë së Sharrit, rrethi i Tetovës, dhe këtë katund ku linda e u rrita, vetëm pak kodra e ndajnë nga Kukësi. Me këtë rast dua të sjell këtu një moment të veçantë nga fëmijëria ime, dhe që lidhet jo vetëm me mua por me gjithë shqiptarët e asaj ane. E kam fjalën për vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, e në vazhdim. Brezi ynë si dhe ata pas nesh, jemi rritur me zërin amënor e me tingujt e bukur të këngëve që vinin nga valët e Radio Kukësit. Zëri që na vinte nga ky qytet ka qenë ushqim shpirtëror i përditshëm për ne, ka qenë zëri që na mbushte zemrën me gëzim, na mbushte me frymë dhe energji të reja, dhe mbi të gjitha, na e forconte ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut.

Ky ka qenë motivi që më ka bërë edhe këtë qytet ta ndiej si qytetin tim. Në ato kohëra si fëmijë nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se pas më shumë se gjysmë shekulli qyteti i Kukësit do të më nderojë me titullin “Çelësi i Qytetit”. Andaj, mirënjohja që pranova sot nga Bashkia juaj, për mua është ndër më të veçantat. Sot e tutje, sa herë që do vij në Kukës, do ta çel portën e këtij qyteti me po atë ngrohtësi që e çel portën e shtëpisë sime në Tetovë!

Për Kukësin, për Shqipërinë, për të gjitha trojet tona uroj më të mirën, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror e kulturor. Pandalshëm le të punojmë së bashku për forcimin e vendeve tona e për realizimin e aspiratave tona kombëtare. Të palëkundur le të ecim drejt integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian, sepse ne shqiptarët krahas gjeografisë, këtu e kemi edhe historinë tonë të lavdishme, si dhe përkatësinë tonë kulturore.

Meqenëse jemi në muajin nëntor, në Nëntorin e Festës së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit, juve këtu dhe gjithë bashkëkombësve ju uroj;

Gëzuar 113 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë!

Gëzuar Dita e Flamurit Kombëtar!

Momente nga ceremonia e nderimit:

Shqiponja dykrenare 'fluturon' nga Tirana në Kukës, "sebep" bëhet Lazim Destani

Next
Next

Cyrih / Lazim Destani, në takim me komunitetin e diasporës sonë në Zvicër