Cyrih / Lazim Destani, në takim me komunitetin e diasporës sonë në Zvicër
Lazim Destani ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga veprimtarët e diasporës shqiptare në Zvicër. Në këtë takim të mbajtur në Cyrih ishin mbledhur bashkë afaristë, profesorë, shkencëtarë e letrarë, si dhe aktivistë të shumtë nga komuniteti shqiptar në këtë vend. Ishte ky një takim i radhës në vazhdën e takimeve të kohëpaskohshme të organizuara nga diaspora shqiptare në shtetin Helvetik. Si zakonisht, këtu u trajtuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me diasporën, por edhe aspekte nga zhvillimet ekonomike e shoqërore në trojet shqiptare, sidomos tani para zgjedhjeve lokale në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut.
Ndër folësit e shumtë këtu, Lazim Destani përcolli mesazhe të qarta për rëndësinë e unitetit dhe bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë në zgjedhjet lokale që së shpejti do të mbahen në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. “Ne kemi kaluar periudha të vështira si komb. Është e rëndësishme që pjesëmarrja në këto zgjedhje të jetë sa më e gjerë, duke e ruajtur unitetin dhe vëllazërinë mes vete. Vetëm të bashkuar jemi të fortë ndërsa të ndarë mbetemi të dobët. Politika është pjesë e jetës shoqërore por në asnjë moment ajo nuk duhet të çojë në përçarje”, tha ndër të tjera në fjalën e tij filantropi Destani.
Në këtë ngjarje u lexua edhe një mesazh i dërguar nga ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Bernë, z. Rexhep Demiri. Përmes këtij mesazhi ai i përshëndeti të pranishmit, ndërsa e vlerësoi lart rolin e diasporës si faktor unifikues.
Ngjarja në Cyrih tregoi edhe një herë se diaspora shqiptare është e angazhuar dhe e përfshirë në proceset shoqërore dhe politike, duke mbetur një urë e rëndësishme bashkëpunimi dhe solidariteti për shqiptarët kudo që ndodhen.
Referuar pjesëmarrjes në këtë takim, z. Destani ka shkruar edhe një status në Facebook:
“Kënaqësi e veçantë ishte ndeja mbrëmë me bashkatdhetarët tanë me punë e aktivitete në Zvicër. Në këtë takim vëllazëror në Cyrih ishin të pranishëm shumë miq afaristë e figura të shquara të shkencës, artit, sportit e të letërsisë nga komuniteti i diasporës sonë në shtetin Helvetik. Gjatë kohës që kaluam bashkë zhvilluam biseda e diskutime mbi tema të ndryshme që lidhen me çështjet e diasporës e të trojeve tona.
Falënderoj për ftesën pronarin e restorantit “Churrasco” Sokol Komani, organizator i kësaj ndeje ku u bë dhe prezantimi i brendit të Cigareve/Purove “Qunto” në tregun e Zvicrës.”