Dyzeldorf / Lazim Destani merr pjesë në shënimin e 26 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe në Forumin Ekonomik, Kosovë - NRW
Nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Dyzeldorf është shënuar 12 Qershori, Dita e Çlirimit të Kosovës. Kjo ngjarje në Dyzeldorf të Gjermanisë i bëri bashkë autoritete të Republikës Federale të Gjermanisë e të Republikës së Kosovës, Konsuj të vendeve të tjera, veteranë të UÇK-së e familjarë të dëshmorëve, si dhe personalitete nga diaspora shqiptare. I ftuar në këtë ngjarje solemne të 26 vjetorit të çlirimit të Kosovës, këtu mori pjesë Lazim Destani si Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare. Ky aktivitet u zhvillua në hapësirat e Klubit Ekonomik të Dyzeldorfit (Wirtschaftsclub Dusseldorf).
Me mbarimin e kësaj ceremonie festive, në po këtë ambient, u mbajt Forumi Ekonomik Kosovë-NRW që i zhvilloi punimet për dy ditë me radhë, 13 – 14 qershor. Ky Forum, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, kishte për synim thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes këtyre dy vendeve. Krahas shumë afaristëve këtu morën pjesë edhe përfaqësues institucionesh nga Kosova e Gjermania. Lazim Destani, si Kryetar Nderi i Unionit të Bizneseve, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik të Kosovës si një faktor kyç që ndikon edhe në qëndrueshmërinë e zhvillimeve politike të vendit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Lazim Destani lidhur me këto dy aktivitete shprehet:
Dje pata nderin e kënaqësinë që si përfaqësues i Këshillit Koordinues të Diasporës të marr pjesë në ceremoninë festive për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës. Për shënimin e kësaj feste kombëtare, 26 vjetorin e çlirimit të vendit, aktiviteti u mbajt në Dyzeldorf të Gjermanisë nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në po këtë qytet.
Në këtë ngjarje të bukur e të denjë, së bashku me përfaqësues të institucioneve, intelektualëve dhe figurave publike nga Kosova e Gjermania, miq të Kosovës e bashkatdhetarë nga Gjermania, u mblodhëm për të reflektuar e nderuar vlerat e larta që përfaqëson kjo ditë: përpjekjet e sakrificat shekullore për liri e pavarësi, dëshmorët e lirisë, si dhe dinjitetin e unitetin tonë kombëtar.
Në emër të Këshillit Koordinues të Diasporës, pata nderin t’i përshëndes të pranishmit me një fjalë rasti, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës sonë historike dhe rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve tona me atdheun. Lavdi të rënëve për lirinë e atdheut!
Me mbarimin e kësaj ceremonie, në po këtë ambient, vazhduam me punimet e Forumit Ekonomik Kosovë – Nordrhein-Westfalen (NRW), organizuar nga Konsullata e Kosovës dhe Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane. Këtu ishin të pranishëm afaristë të shumtë nga Kosova e nga diaspora shqiptare në Gjermani. Forumet e këtilla nuk janë vetëm platforma bashkëpunimi ekonomik – ato janë dëshmi e gjallë se diaspora është një faktor kyç, me ide dhe kapacitete investuese, për zhvillimin ekonomik dhe përparimin e Kosovës.
U diskutua për mundësi konkrete bashkëpunimi, sfida të përbashkëta dhe hapat e mëtejshëm për krijimin e një rrjeti funksional ekonomik, të fuqishëm e të qëndrueshëm, që lidh Kosovën me diasporën. Me vizion e bashkëpunim, arrijmë çdo synim!
Me këtë rast falënderoj Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf për organizimin dhe mikpritjen. Po ashtu, falënderoj Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani, që me përkushtim të madh po punon për forcimin e këtij partneriteti mes Republikës së Kosovës dhe komunitetit të bizneseve tona në mërgatë.



