Dubai / Lazim Destani priti Ambasadorët shqiptarë në Emiratet e Bashkuara Arabe
Në zyrat e kompanisë Ecolog International në Dubai, Lazim Destani dje i ka pritur tre Ambasadorët shqiptarë të akredituar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Abdylkadër Memedi, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë Ridi Kurtezi dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës Xhabir Hamiti. Gjatë këtij takimi miqësor, ata gjithashtu kanë diskutuar edhe për aspekte ekonomike duke vënë theksin te mundësitë për investime kapitale nga EBA në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë e Veriut.
Lidhur me këtë takim, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në “Facebook”, Lazim Destani shprehet:
Sot, në zyrat e kompanisë sonë në Dubai, pata nderin e kënaqësinë t’i pres për një vizitë miqësore Ambasadorët tanë të akredituar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Abdylkadër Memedi, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë Ridi Kurtezi dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës Xhabir Hamiti.
Krahas bisedave miqësore, gjatë këtij takimi zhvilluam diskutime edhe mbi tema me karakter ekonomik, pasi të shumta janë mundësitë për investime kapitale nga EBA në trojet tona, në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë e Veriut.
Për vizitën e tyre kushtuar kompanisë sonë falënderoj Ambasadorët e nderuar, ndërsa i uroj për suksese gjithnjë në rritje në misionin e tyre diplomatik.