Lazim Destani merr pjesë në Kongresin e II-të Ekonomik të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane

 

I ftuar nga organizatori i Kongresit, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani, Lazim Destani mori pjesë në Kongresin e II-të Ekonomik që i zhvilloi punimet më 9-10 nëntor në Frankfurt. Në këtë Kongres morën pjesë shumë afaristë nga Kosova e Gjermania, duke u mbledhur bashkë rreth 600 biznese shqiptare dhe gjermane.

Për t’i ndjekur punimet e Kongresit kishin ardhur edhe autoritete nga Kosova, si z. Albin Kurti – kryetar i partisë Lëvizja Vetëvendosje, z. Shpend Ahmeti – kryetar i Prishtinës si dhe kryetarë të disa komunave të tjera kosovare. Kongresin e shpalli të hapur kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Nazmi Viqa, ndërsa si Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare punimet e këtij Kongresi i përshëndeti Lazim Destani. Kongresi i nisi punimet me shpalosjen e platformës strategjike operative dhe prezantimin e strukturës organizative të Unionit të Bizneseve për të vazhduar më tej me prezantimin e kompanive nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania. Në kuadër të punimeve të kongresit u realizuan takime B2B si dhe u zhvilluan panele diskutimi mbi temat, Investimi publiko-privat në komunat e Kosovës dhe Iniciativa për arsim dual.

Në fjalën e tij Lazim Destani potencoi:

Gjendjen e sotme ekonomike në trojet tona e shikoj si sfidën e radhës dhe sigurisht dëshiroj të jemi sa më të organizuar e sa më efikas duke i vënë potencialet tona në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit. Fakt i njohur gjerësisht në botë është se ekonomia e një vendi është e lidhur ngushtë me politikën dhe sigurinë e atij vendi.  Andaj do t’u bëja thirrje politik-bërësve në trojet tona, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij aspekti pasi investitorët, qofshin nga diaspora apo të tjerë, duan klimë të mirë, stabilitet politik dhe të ndiejnë siguri për investimet e tyre. Afaristët e diasporës sonë, krahas fuqisë investuese që kanë në duart e veta, kanë dhe kontakte e bashkëpunime me investitorë të huaj në vendet ku ata ushtrojnë aktivitetet e tyre. Me krijimin e klimës së mirë për investime, shumë prej tyre ne mund t’i nxisim e t’i bindim për të investuar në projekte të ndryshme në vendin tonë. Në radhët e diasporës sonë kemi mjeshtër profesionistë, ekspertë të të gjitha fushave. Po t’i referohemi gjeneratës së re që kanë dalë jashtë vendit në periudhën e fundit, ndër ta sot gjejmë aq shumë nëpër kompani, banka, spitale, universitete, kompani sigurimesh e në fusha të tjera, madje të avancuar në pozita të larta menaxhuese. Gjenerata e re, shumë prej tyre të shkolluar në universitete europiane, mund t‘i bartin dijet e tyre në trojet tona, dhe për të ndodhur kjo, atyre duhe t’u krijohet mundësia. Dikush ka kapitalin, dikush përgatitjen profesionale dhe dikush idenë, – Le t’i bëjmë bashkë këto potenciale duke i gjetur rrugët e bashkëpunimit drejt arritjes së synimeve tona për të mirën e përbashkët, për atë që sot kërkon atdheu.

Previous
Previous

Lazim Destani viziton zonat e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri

Next
Next

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar viziton Ecolog-un