Lazim Destani, në Takimin e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës Shqiptare, më 18 dhjetor 2019, në Tiranë u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës. Ky takim kishte për qëllim diskutimin për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli. Krahas anëtarëve të Këshillit, këtu morën pjesë krerët e vendit, Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, si dhe autoritete të tjera shtetërore.

Mbledhja u hap nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili i falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre të deritanishëm. Ai në fjalën e tij theksoi se Këshilli Koordinues i Diasporës është një strukturë e re, e cila funksionon për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar dhe synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Diasporën shqiptare.

“Diaspora shqiptare jep një kontribut me rëndësi në zhvillimin e vendit të origjinës në të gjitha fushat, përfshirë arsimin, kulturën dhe ekonominë”, tha ministri.

Mbledhja u drejtua nga Mark Gjonaj, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Amerikë. Ai u ndal tek rëndësia e Diasporës shqiptare në fusha të ndryshme duke potencuar angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.

Lazim Destani, anëtar i këtij Këshilli, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Gjermani, në fjalën e tij tha:

“Jam i gëzuar që ëndrrat e shqiptarëve të Diasporës po realizohen, jemi të bashkuar e të organizuar. Përzemërsisht, i uroj suksese diasporës mbarëshqiptare, sepse qëllimi i këtij Këshilli Koordinues të Diasporës sonë është përfshirja e të gjithë shqiptarëve në botë, duke shërbyer si urë lidhëse mes Diasporës dhe institucioneve shtetërore në trojet tona”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e theksuan rolin e rëndësishëm të Diasporës si thesar i çmuar i Shqipërisë.

Me rëndësi nga kjo mbledhje ishte miratimi i Rregullores së Këshillit dhe zgjedhja e drejtuesve të tij. Anëtarët zgjodhën si kryetar përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në ShBA, Mark Gjonaj, nënkryetare, përfaqësuesen e komunitetit shqiptar në Francë, Anila Hyka Smorgrav si dhe sekretare, përfaqësuesen e komunitetit shqiptar në Kanada, Adriana Fishta-Bejko.

Këshilli Koordinues i Diasporës, i përbërë nga 15 anëtarë, të cilët kanë status të veçantë, është krijuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë me qëllim nxitjen e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë.

Previous
Previous

Lazim Destani viziton Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjermani

Next
Next

Themelohet i Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare