Cyrih / Lazim Destani merr pjesë në mbrëmjen tematike kushtuar çështjes çame
Me aktivitete të natyrave të ndryshme, diaspora shqiptare në vazhdimësi po e dëshmon rolin e saj të rëndësishëm e shumëdimensional. Nën organizimin e Lidhjes Shqiptare në Botë (LShB) në bashkëpunim me Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, kësaj radhe në Cyrih të Zvicrës u mbajt mbrëmja tematike “Çështja Çame: Histori, të Drejtat e Njeriut dhe Dialog”.
Aktiviteti mblodhi akademikë, diplomatë, juristë, veprimtarë të diasporës, përfaqësues të organizatave shqiptare dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke e kthyer këtë mbrëmje në një forum të rëndësishëm diskutimi mbi historinë, të drejtat e njeriut dhe nevojën për dialog rreth çështjes çame.
Krahas drejtuesit të Fondacionit Çamëria, Alket Veliu, dhe kryetarit të LShB, Nazmi Jakurti, me diskutime e trajtime shkencore në panel morën pjesë akademiku dhe diplomati Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, diplomati dhe shkrimtari Luan Rama, Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, si dhe filantropi i njohur shqiptar Lazim Destani. Të pranishëm ishin gjithashtu gazetari dhe publicisti Enver Robelli, gazetari veteran Rexhep Rifati, drejtues të shoqatave shqiptare, intelektualë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër.
Prof. Dr. Pëllumb Xhufi trajtoi gjerësisht historinë e Çamërisë dhe zhvillimet që kanë shoqëruar popullsinë çame ndër vite, duke sjellë fakte dhe analiza historike mbi këtë kapitull të rëndësishëm të historisë shqiptare.
Diplomati dhe shkrimtari Luan Rama u përqendrua te dimensioni njerëzor i çështjes çame, duke folur për identitetin, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve çamë, si dhe për sfidat që lidhen me ruajtjen e saj.
Lazim Destani në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi organizatorët për ftesën dhe vlerësoi lart rëndësinë e aktiviteteve që mbajnë gjallë historinë dhe identitetin kombëtar.
Kjo ngjarje akademike u mbajt në ambientet e Bibliotekës Pestalozzi ku drejtoresha e këtij institucioni, Suela Jorgaqi, krahas mikpritjes, prezantoi fondin e librave në gjuhën shqipe që disponon biblioteka, një hapësirë e rëndësishme për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet, Lazim Destani në Facebook shprehet:
“Çështja Çame: Histori, të Drejtat e Njeriut dhe Dialog” ishte tema e ngjarjes akademike që u mbajt këto ditë në Cyrih të Zvicrës ku pata nderin të marr pjesë. Kjo mbrëmje tematike, organizuar nga Lidhja Shqiptare në Botë (LShB) në bashkëpunim me Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, mblodhi së bashku veprimtarë, akademikë, historianë e profesorë nga trojet tona si dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar nga diaspora.
Te paneli i diskutimit, kushtuar kësaj teme shumë të ndjeshme e me peshë të çështjes kombëtare, patëm kënaqësinë t’i kemi disa nga figurat tona të shquara të botës akademike e shkencore si, akademikun dhe diplomatin Pëllumb Xhufi, shkrimtarin dhe diplomatin Luan Rama, Profesorin Bashkim Kuçuku, kryetarin e LShB Nazmi Jakurti, drejtuesin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” Alket Veliu, gazetarët Enver Robelli dhe Rexhep Rifati, e të tjerë.
Gjatë diskutimeve në panel u shtrua gjerësisht historia e Çamërisë, u trajtuan zhvillimet historike dhe sfidat me të cilat është përballur popullsia çame ndër vite, ndërsa u theksua nevoja për mobilizim dhe bashkëpunim më të gjerë kombëtar.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte paraqitja e një grupi pjesëmarrësish të veshur me kostume tradicionale çame. Këta sollën një befasi të këndshme për të pranishmit, ndërsa i dhanë bukuri të veçantë ngjarjes.
Pjesa e fundit e aktivitetit iu kushtua diskutimit të hapur me pjesëmarrësit, të cilët parashtruan pyetje dhe ndanë mendimet e tyre mbi çështjen çame dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet shqiptare në rajon.
