Tropojë / Lazim Destani merr pjesë në Konventën Euro-Ballkanike të Alpeve
Lazim Destani merr pjesë në ngjarjen, “Konventa Euro-Ballkanike e Alpeve” – Valbonë, që u mbajt më 15-16 Maj në Luginën e Valbonës, Bashkia Tropojë.
Me moton “Zhvillimi dhe Integrimi i Alpeve”, kjo Konventë shënon një moment historik për Shqipërinë dhe rajonin pasi kjo është veprimtaria e parë dhe e vetme e këtij lloji në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. E ngritur mbi katër shtylla kryesore: ekonomi, kulturë, mjedis dhe turizëm, ngjarja paraqet përpjekjen e parë serioze për të integruar shtetet alpine të Ballkanit Perëndimor me shtetet alpine të Europës së Mesme.
Konventa u organizua nga Qendra Alpine për Studime, Botime, Kulturë, Mjedis dhe Turizëm në bashkëpunim me Bashkinë e Tropojës, ndërsa morën pjesë përfaqësues institucionesh nga të gjitha trojet shqiptare, përfaqësues shoqatash, si dhe biznese nga rajoni e diaspora shqiptare.
Objektivat strategjike të Platformës së kësaj Konvente ishin: zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit alpin, ruajtja e biodiversitetit dhe ekosistemeve malore, forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar, nxitja e investimeve në zonat malore, dhe rritja e rolit të komuniteteve lokale dhe rinisë.
Ndër panelet e diskutimit që u zhvilluan këtu ishte dhe ai me temë: “Ekonomia Alpine në fokusin e zhvillimit të qëndrueshëm” që e drejtoi Lazim Destani. Gjatë diskutimit ai e vuri theksin tek çështjet që kanë të bëjnë me plane rregulluese të mirëfillta e të qëndrueshme.
Në kuadër të Konventës u bë dhe çelja zyrtare e sezonit turistik 2026 për zonën e Alpeve Shqiptare, si dhe u zhvillua edhe Festivali i Poezisë Alpine (Konkursi Ndërkombëtar Poetik).
Lidhur me aktivitetet në këtë ngjarje Lazim Destani në Facebook shkruan:
Me kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në Konventën e Alpeve, e cila u mbajt më 15 dhe 16 maj në Valbonë, Tropojë. Mes bukurive të rralla natyrore, dhe me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga trojet shqiptare e nga Diaspora, këtu u zhvilluan diskutime tematike mbi potencialin turistik dhe ekonomik që kanë alpet shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe mundësitë e rritjes së investimeve në këto zona.
Tema e panelit që drejtova unë ishte “Ekonomia Alpine në fokusin e zhvillimit të qëndrueshëm”. Gjatë diskutimit mbi këtë temë ngrita çështjet që kanë të bëjnë me plane rregulluese të mirëfillta e të qëndrueshme. Këtu potencova rëndësinë e zgjidhjes së çështjes mbi pronësinë e tokave, një gjë që do t’u hapte rrugë e do t’i përshpejtonte investimet për biznese familjare apo për investime më të mëdha.
Në kuadër të aktiviteteve të Konventës dyditore pata rastin e kënaqësinë të jem i ftuar në Sofrën Dardane, si dhe në ceremoninë zyrtare të çeljes së sezonit turistik të Valbonës, organizuar nga Bashkia e Tropojës.
U ndjeva i nderuar gjithashtu edhe me dekorimin që më bënë organizatorët e Konventës së Alpeve duke më akorduar çmimin “Ambasador i Apleve”.
Në vijim, fjala ime përshëndetëse në çeljen e këtij aktiviteti:
I nderuar Kryetar i Bashkisë, Tropojë, Z. Byberaj,
I nderuar Z. Ambasador, Mustafaj,
I nderuar Prefekt i Tiranës, Z. Hajdari,
E nderuar ish-Ministre, Znj. Rozeta Hajdari,
I nderuar Deputet, Z. Shaip Kamberi,
Të nderuar Ambasadorë, Ministra e Deputetë,
Të nderuar bashkëkombës,
Gjej rastin të falënderoj në mënyrë të veçantë Z.Ramiz Lushaj, që na bën bashkë në aktivitete si ky. Janë aktivitete të rëndësishme pasi ndikojnë në zhvillimin ekonomik të viseve tona, si dhe e kthejnë vëmendjen tonë këtu.
Kjo Konventë Alpine, që këto ditë na ka bashkuar në këtë zonë shumë të bukur të trojeve tona, le t’i shërbejë shtimit të vëmendjes tonë ndaj Alpeve shqiptare, në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e në Malit të Zi.
Këto male e kreshta, janë foleja e kreshnikëve dhe e zanave, janë vendlindja e burrave dhe e luftëtarëve të kombit.
Por sot jemi në tjera momente historike. Këto bjeshkë kërkojnë t’ua ruajmë nderin, t’i popullojmë, të investojmë e t’i bëjmë destinacione turistike të përhershme. Le të kujdesemi për to çdo ditë e më shumë. Dora e njeriut duhet ta bëjë më të mirën për ta mirëmbajtur e për ta bërë këtë zonë alpine gjithnjë e më tërheqëse për turistët e vizitorët.
Uroj këto kreshta të maleve tona të shkëlqejnë me oferta turistike, me shërbim e mjedis të pastër, dhe mbi të gjitha, me mikpritje e bujari siç e ka zakon shqiptari.
Këto nuk arrihen vetëm me takime e fjalë të bukura. Kërkojnë punë, kërkojnë iniciativa ligjore, vendim-marrje politike qendrore e lokale, si dhe lehtësira fiskale për bizneset.
Duke ju falënderuar për ftesën dhe mikpritjen, i uroj suksese kësaj konvente, dhe le të shërbejë si fillimi i një nisme mbarëshqiptare, që Alpet tona, të jenë krenaria jonë.
