Strategjia Kombëtare për Diasporën, Plani i Veprimit - 2020
Gjermani/ Lazim Destani i pret Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare. Ky Këshill 15 anëtarësh, pjesë e të cilit është dhe Lazim Destani, është ngritur rishtazi si njësi e re në kuadër të Ministrisë së Diasporës në Republikën e Shqipërisë. Në këtë takim dyditësh, që u mbajt më 12-13 tetor në Klubin prestigjioz Ekonomik Wirtschaftsclub në Dyzeldorf, për t’i ndjekur punimet mori pjesë Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko. Anëtarët e Këshillit ndoqën fjalën e Ministrit Majko mbi Strategjinë Kombëtare për Diasporën shqiptare si dhe zhvilluan diskutime mbi aktivitetet e planifikuara sipas planit operativ për vitin 2020.
Lazim Destani, si përkrahës i aktiviteteve për përparimin e rajonit të Europës Juglindore, në mënyrë të veçantë potencoi se këto dialogje janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit. Lidhur me këtë takim, në profilin e tij në Facebook ai shprehet:
“Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës kam kënaqësinë që këto dy ditë (12-13 tetor) të jem nikoqir i takimit të KKD këtu në Dyzeldorf. Ky takim dyditësh po mbahet sipas agjendës dhe me prezencën e Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko.
Zoti Majko, sot në takimin e tij të parë me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, bëri një prezantim të detajuar mbi strategjinë shtetërore për Diasporën si dhe në përgjithësi i njohu anëtarët e Këshillit me punën e deritashme në mbështetje të komuniteteve shqiptare anembanë botës. Me këtë rast u prezantuan gjithashtu edhe aktivitetet e planifikuara për vitin 2020 sipas Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën.
Këshilli Koordinues i Diasporës është krijuar ‘Për Diasporën’, në bazë të Ligjit nr 16/2018, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”.