Tetovë / Lazim Destani merr pjesë në manifestimin “Votra jonë na bashkon”

Tetovë / Lazim Destani merr pjesë në manifestimin “Votra jonë na bashkon”

Lazim Destani ka marrë pjesë në takimin tradicional të mërgimtarëve të Veshallës, “Votra jonë na bashkon”. Ashtu si në të kaluarën, kjo ngjarje u organizua nga shoqata “Veshalla” që tash e shumë vite vepron në Zvicër dhe në vendlindje.

Si çdo vit, ky manifestim u solli kënaqësi të veçantë dhe emocion veshallasve, pasi paraqet mundësinë e vetme që i bën bashkë aq shumë mërgimtarë nga ky katund, të ndodhur me punë e aktivitete nëpër vende të ndryshme të Europës e botës.

Tetovë / Lazim Destani merr pjesë në manifestimin “Votra jonë na bashkon”

Krahas banorëve të Veshallës dhe atyre me origjinë nga ky katund, këtu marrin pjesë si miq e të ftuar nderi edhe figura e personalitete të shquara nga fusha të ndryshme.

Për pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje, Lazim Destani në Facebook shprehet:   

“Votra jonë na bashkon” ishte ngjarja tradicionale e katundit Veshallë ku dje pata nderin të marr pjesë. Është ky një manifestim i përvitshëm që organizohet nga Shoqata “Veshalla”, një organizatë humanitare e kulturore e themeluar nga mërgimtarët veshallas në Zvicër.

Në këtë festë madhështore që solli gëzim e kënaqësi te të gjithë, në mesin e qindra pjesëmarrësve të pranishëm ishin edhe shumë miq e personalitete, përfaqësues institucionesh, diplomatë, apo emra të shquar të artit, kulturës, arsimit e jetës shoqërore.

Pranë shumë miqve të mi nga Veshalla, këtu kaluam çaste të këndshme së bashku edhe me personalitete si, Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, Ambasadori i Austrisë në Shkup Martin Pammer, Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër Rexhep Demiri, aktivisti kërçovar Florim Useini, e shumë të tjerë.

Programi artistik me këngë e valle popullore tradicionale i dha bukurinë e veçantë këtij manifestimi ku spikatën vallet me kostume kombëtare si dhe paraqitja e grupit të vajzave të Veshallës. Ndërsa grupi i këngëtarëve të ardhur nga Kosova me interpretimet e tyre e shndërruan festën në një ditë të paharrueshme.

Takimet si ky, krahas dëfrimit që u sjellin pjesëmarrësve, gjithsesi përbëjnë kontribut të paçmueshëm për ruajtjen dhe promovimin e vlerave dhe trashëgimisë sonë popullore që ndër shekuj është bartur brez pas brezi, gjithandej trojeve tona.

Me këtë rast, drejtuesit e Shoqatës “Veshalla” me kryetar Ismail Rushani, duke i falënderuar për ftesën, i përgëzoj për aktivitetet dhe kontributin e tyre shumë të çmueshëm.

Previous
Previous

Lazim Destani uron popullin e Kosovës për zgjedhjen e Presidentes së vendit

Next
Next

Cyrih / Lazim Destani merr pjesë në mbrëmjen tematike kushtuar çështjes çame