Dyzeldorf / Lazim Destani, në darkën e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane
Lazim Destani ka marrë pjesë në darkën e organizuar për anëtarët Premium të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane (UB). Ngjarja u zhvillua në Gjermani, në Klubin Ekonomik të Dyzeldorfit (WIRTSCHAFTSCLUB DÜSSELDORF) duke mbledhur së bashku përfaqësues të rëndësishëm të biznesit dhe të botës akademike.
Në këtë mbrëmje të veçantë morën pjesë shumë anëtarë Premium të UB dhe drejtues të këtij Unionit. Si mysafirë nderi të pranishëm ishin personalitete të shquara nga bota akademike si, Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Republikës së Kosovës (ASHAK), Akademiku Besnik Krasniqi, Anëtar i ASHAK, si dhe aktivisti nga diaspora Besnik Berisha, drejtor ekzekutiv i Departamentit të Thesarit në NRW.BANK.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet e Lazim Destanit, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Diasporës, u vlerësua lart për rolin e tij të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve të diasporës me atdheun dhe kontributin e tij të vazhdueshëm për promovimin e bizneseve shqiptaro- gjermane.
Duke e falënderuar për ftesën, Destani e përgëzoi organizuesin e këtij takimi, Bordin e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, për punën me përkushtim dhe sukseset e arritura ndër vite. Në veçanti, ai e vlerësoi angazhimin e kryetarit të Unionit, Nazmi Viqa, për rolin e tij në zhvillimin dhe forcimin e UB.
Për pjesëmarrjen në këtë takim Lazim Destani në llogarinë e tij në Facebook shkruan:
Ishte nder dhe kënaqësi pjesëmarrja në darkën e shtruar për anëtarët Premium të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane (UB). Kjo ngjarje, e organizuar nga Bordi i këtij Unioni, u mbajt në Gjermani, në Klubin Ekonomik të Dyzeldorfit.
Krahas shumë anëtarëve Premium dhe drejtuesve të Unionit, me praninë e tyre si mysafirë nderi këtë ngjarje e bënë më të bukur e më kuptimplotë edhe personalitete të shquara nga bota akademike si, Znj. Justina Shiroka-Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Republikës së Kosovës (ASHAK), Z. Besnik Krasniqi, Anëtar i ASHAK, si dhe Z. Besnik Berisha, Drejtor Ekzekutiv i Departamentit të Thesarit në NRW.BANK.
Duke e falënderuar për ftesën, me këtë rast e përgëzoj Bordin UB me në krye të nderuarin Nazmi Viqa për punën me përkushtim dhe sukseset ndër vite që po arrin Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.
