Tetovë / Lazim Destani e pret për vizitë Presidentin Rexhep Meidani

Në zyrat e kompanisë së tij në Tetovë Lazim Destani e ka pritur për një takim miqësor ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Rexhep Meidani. Në këtë vizitë profesori Meidani ishte i shoqëruar nga i biri, Denion Meidani, Ambasador i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore. Gjatë kohës që kaluan bashkë, Destani dhe Presidenti Meidani diskutuan mbi tema të ndryshme shoqërore apo ekonomike. Ata gjithashtu risollën me kënaqësi kujtime nga e kaluara, nga takimet mes tyre shumë vite më parë. Z. Destani e vlerësoi lart figurën e Presidentit Meidani, duke theksuar rolin e tij të rëndësishëm në historinë moderne të kombit shqiptar.

Sipas Destanit, Presidenti Meidani është një nga ato figura kombëtare që kontributin e tij e ka shtrirë në mbarë hapësirën shqiptare. Krahas rolit të tij në zhvillimin e proceseve demokratike në Republikën e Shqipërisë e në rajon, ai ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm edhe në fushën e arsimit dhe shkencës.

Në mënyrë të veçantë u theksua kontributi i Prof. Dr. Rexhep Meidanit në ngritjen dhe konsolidimin e Universitetit të Tetovës, si dhe angazhimi i tij i hershëm në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Prishtinës, institucione këto me rëndësi jetike, si për arsimin në përgjithësi ashtu dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror e kombëtar.

Duke iu referuar këtij takimi, Lazim Destani në llogarinë e tij në Facebook shkruan:

Dje, në zyrat e kompanisë sonë në Tetovë, pata nderin e kënaqësinë ta pres në një takim miqësor Presidentin Rexhep Meidani, i shoqëruar nga i biri, Denion Meidani - Ambasador i Shqipërisë këtu në Maqedoninë e Veriut.

Përmes bisedave të ngrohta e vëllazërore, çaste të bukura kaluam duke i kujtuar edhe takimet e mëhershme tonat së bashku.

Presidenti Meidani është nga ato figura kombëtare që kontributin e tyre e kanë shtrirë në gjithë hapësirën shqiptare. Krahas rolit të tij në zhvillimin e demokracisë dhe udhëheqjes së vendit, ai është ndër ata profesorë që kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm si në ngritjen e Universitetit të Tetovës ashtu dhe shumë kohë më parë në ngritjen e Universitetit të Prishtinës.

Next
Next

Lazim Destani merr pjesë në shënimin e 31 vjetorit të Universitetit të Tetovës