Lazim Destani merr pjesë në shënimin e 31 vjetorit të Universitetit të Tetovës
Përmes një akademie solemne Universiteti i Tetovës sot shënoi 31-vjetorin e themelimit. Në kuadër të ceremonisë së këtij përvjetori, titulli Doctor Honoris Causa i është akorduar ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Rexhep Meidani.
Rektori Jusuf Zejneli në fjalën e tij ndër të tjera theksoi:
“Ky nuk është vetëm një institucion i arsimit të lartë, por një histori e ndërtuar mbi sakrificë dhe përgjegjësi akademike. Universiteti i Tetovës u themelua më 17 dhjetor të vitit 1994, në një kontekst të rëndë politik, juridik dhe shoqëror për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Themelimi i tij nuk ishte vetëm një akt formal juridik, por një akt i vetëdijes arsimore kombëtare, i dedikuar për mungesën e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe për nevojën për barazi akademike”.
Me rastin e pranimit të titullit Doctor Honoris Causa, profesor Meidani u shpreh i lumtur pasi me qytetin e Tetovës e lidhin ngjarje të moçme ndërsa ka qenë edhe ligjërues në Universitetin e Tetovës.
“Për mua dhënia e këtij titulli ka një domethënie të veçantë. Gjatë viteve 1976–1981, disa herë në vit, pas një ligjërimi 20-ditor në Universitetin e Prishtinës, në rrugën e kthimit për në Shqipëri, një nga ndalesat ishte edhe Tetova. Këtu është strehuar përkohësisht familja ime republikane pas rrëzimit të republikës dhe instalimit të mbretërisë. Ndoshta kjo ndalesë ka qenë një parapërgatitje për kthimin tim si ligjërues 20 vite më vonë”, tha në fjalën e tij Rexhep Meidani – ish-presidenti i Shqipërisë.
Për pjesëmarrjen në këtë akademi solemne, Lazim Destani në llogarinë e tij në Facebook shkruan:
Me rastin e 31 vjetorit të Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani” sot pata kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë solemne për shënimin e këtij përvjetori. E veçanta e sivjetme e kësaj ngjarje ishte akordimi i titullit Doctor Honoris Causa ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Rexhep Meidani. Dekorimi shumë i merituar i z. Meidani me këtë titull është frymëzim për studentët e për rininë tonë në rrugën e dijes e të përparimit.
Pjesëmarrja këtu ishte kënaqësi edhe sepse këtu takova miq e personalitete të shumta nga sfera akademike, ajo politike e diplomatike, si dhe nga sfera e ekonomisë.
