Tiranë / Lazim Destani merr pjesë në Samitin e IV të Diasporës

Samiti i IV i Diasporës bëri bashkë në Tiranë përfaqësues të një kombi të shtrirë në rajonin e Ballkanit si dhe përfaqësues të mërgatës shqiptare që jeton në shumë vende të botës. Këta të gjithë u bënë bashkë në një sallë të madhe ku rreh një zemër e madhe. Një zemër që e bën këtë qytet më shumë se kryeqytetin e Shqipërisë, e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Përmes një ceremonie madhështore, nën moton ‘Pëmes rrënjëve lartësohemi’, Samiti është hapur dje (13 prill) ndërsa punimet do të zhvillohen për tre ditë me radhë, nga 13 deri 15 prill. Këtu marrin pjesë Ministra e Deputetë, përfaqësues të lartë shtetëror nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Lugina, ndërsa me rol aktiv e mjaft të rëndësishëm janë të pranishëm Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD), subjekt ky që shërben si urë lidhëse mes diasporës dhe trojeve shqiptare.

Diskutimet janë konceptuar në 18 panele përgjatë tre ditëve, dhe do të trajtojnë fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve nga diaspora, rolin e diasporës në promovimin e turizmit dhe imazhit të vendit, si dhe rëndësinë e transferimit të njohurive dhe eksperiencës në fushën e arsimit, shkencës dhe inovacionit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së identitetit kulturor dhe gjuhësor, përfshirjes së të rinjve të diasporës në zhvillimet shoqërore dhe politike, si dhe ndërtimit të urave të qëndrueshme të komunikimit mes profesionistëve shqiptarë në mbarë botën.

Në fjalën përshëndetëse në nisje të takimit, Presidenti Bajram Begaj e vuri theksin te roli i diasporës shqiptare si faktor kyç në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik të vendit, si dhe në procesin e integrimit europian, “Diaspora nuk përfaqëson vetëm një histori suksesi individual. Ju jeni fuqia dhe forca jonë! Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni pa urdhër, por me krenari! Sot jemi në një hap tjetër, në një marrëdhënie të re, me një kontratë të re, një kontratë ku Diaspora nuk shihet si burim remitancash, por si partner i vërtetë zhvillimi, ku shteti nuk kërkon vetëm kontribut, por hap dyert dhe krijon mundësi reale, ku lidhja nuk është vetëm e zemrës, por edhe e mendjes, e ekonomisë dhe e së ardhmes së përbashkët”, tha ai.

Kreu i Qeverisë Z. Edi Rama në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj, Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajtën gjuhën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare. Sot kur bota është me e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala si kurrë më parë vjen në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju jeni zgjatimi i Shqipërisë kudo në botë. Sot diaspora shqiptare nuk është histori ikje, por e shumëfishimit të forcave të kontributit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë. Shqiptarët ndërtuan jetë, familje karrierë, sipërmarrje, në vende që nisën t’i njohin ata jo përmes stereotipeve, por përmes dobisë, qëndrueshmërisë dhe fisnikërisë. Ju këmbëngulët në pritje, duke qenë gati për derën kur të hapet, edhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati kur dera u hap dhe për këtë arsye hapi kapitujt për anëtarësim më shpejt se çdo vend tjetër. E ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, por në çdo vend ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ëndërrojnë, kudo ku shqiptarët jetojnë rreth e rrotull kufijve të Shqipërisë”.  

Ndër figurat shtetërore me peshë për këtë Samit, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Z. Ferit Hoxha, në fjalën e tij potencoi, “Ndërsa bota përreth nesh po ndryshon në mënyrë marramendëse, Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt të ardhmes evropiane që i ka projektuar vetes, këtë mund ta them me bindje dhe për Kosovën. Dhe shqiptaria, kudo që ndodhet, është sot më e fortë dhe më e gjallë se kurrë. Ky realitet na kujton një të vërtetë thelbësore: diaspora nuk është thjesht ‘jashtë’. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë. Jo një adresë ku drejtohemi kur kemi nevojë, por një dimension plotësues i identitetit tonë kombëtar”.

Me rastin e nisjes së punimeve të Samitit, z Lazim Destani, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, në rrjetet e tij sociale shprehet:

Me emocion të veçantë dhe krenari të thellë, nën tingujt e Himnit Kombëtar, kam nderin të jem pjesë e Samitit të IV të Diasporës Shqiptare në Tiranë.

Ky aktivitet i rëndësishëm ka mbledhur së bashku shqiptarë nga të gjitha trevat dhe nga çdo cep i botës, duke krijuar një atmosferë frymëzuese që bashkon zemrat, rrënjët dhe vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen. Vlerësimi i arritjeve dhe kontributit të jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare është dëshmi e qartë se suksesi i shqiptarëve jashtë vendit është një pasuri e çmuar për Shqipërinë.

Me angazhimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, aktiviteti hapës u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në konsolidimin e këtij Samiti tashmë tradicional. Në fjalën e tij, Presidenti theksoi rolin jetik të diasporës si forcë dinamike zhvillimi, dhe si urë e fuqishme lidhëse mes Shqipërisë dhe botës. Shqiptarët jashtë vendit mbeten ambasadorët tanë më të denjë, duke promovuar vlerat, kulturën dhe potencialin e vendit tonë.

Me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, patëm kënaqësinë të zhvillojmë diskutim të hapur dhe shumë konstruktiv. Ky bashkëbisedim shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe forcimin e bashkëpunimit institucional me diasporën.

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Koordinues të Diasporës, pata mundësinë të ndaj me të pranishmit ecurinë e deritashme të Këshillit, sfidat me të cilat jemi përballur, si dhe prioritetet tona për të ardhmen. Theksova domosdoshmërinë e ndërtimit të një bashkëpunimi më të qëndrueshëm, më të strukturuar dhe gjithëpërfshirës me diasporën shqiptare, si dhe nevojën për intensifikimin e koordinimit dhe aktiviteteve të përbashkëta mes KKD-së, Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë anëtarët e KKD-së për kontributin e tyre të vyer dhe për diskutimet me vlerë, si dhe për qasjen e hapur, bashkëpunuese dhe vizionare të Ministrit.

Ky Samit nuk është thjesht një aktivitet por është dëshmi e gjallë e unitetit dhe identitetit tonë kombëtar. Për disa ditë me radhë, Tirana shndërrohet në një pikëtakim të rëndësishëm për shqiptarët kudo që janë, duke na rikujtuar se, pavarësisht distancave, ne mbetemi një komb i bashkuar nga historia, kultura dhe aspiratat e përbashkëta për të ardhmen.

Previous
Previous

Tiranë / MBYLLI PUNIMET SAMITI IV I DIASPORËS SHQIPTARE

Next
Next

Dyzeldorf / Lazim Destani, në darkën e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane