Tiranë / MBYLLI PUNIMET SAMITI IV I DIASPORËS SHQIPTARE

Punimet e samitit vijuan në panele tematike të përqendruara në fusha me rëndësi të veçantë, si: ‘Diaspora dhe integrimi europian’, ‘Turizmi dhe diaspora’, ‘Sporti dhe diaspora’, ‘Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkërisht?’ si dhe ‘Strategjia e Diasporës 2026–2030’, duke sjellë në vëmendje sfidat dhe mundësitë konkrete për zhvillim.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga komunitetet shqiptare në diasporë dëshmoi për një unitet të gjallë dhe një lidhje të pandërprerë me rrënjët tona, duke e shndërruar këtë samit në një urë të fortë bashkëpunimi. Samiti IV i Diasporës Shqiptare vulosi edhe një herë bindjen se diaspora mbetet një nga shtyllat më të fuqishme të identitetit dhe zhvillimit tonë kombëtar. Bashkëpunimi i qëndrueshëm, shkëmbimi i përvojave dhe angazhimi i përbashkët janë çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të bashkuar për kombin shqiptar.

Në mbyllje të Samitit, duke e çmuar lart rolin e diasporës, Kryeministri Rama u shpreh, “Ajo që është më e rëndësishme është që sot diaspora shqiptare nuk është thjesht një histori largimi, por është një forcë e shtuar e zhvillimit të vendit, që shfaqet jo thjesht dhe vetëm përmes asaj që diaspora ka bërë gjithmonë, që ka qenë mbështetja monetare e familjeve këtu në Shqipëri, por edhe përmes elementësh realisht të admirueshëm të botës së saj të re, qoftë atyre që kanë spikatur në fushat profesionale, qoftë atyre që kanë spikatur në fushën e sipërmarrjes. Dhe çka ishte deri dje një hendek apo një distancë, sot është kthyer në një urë lidhjesh shumë konkrete në ekonomi, në dije dhe, përgjithësisht, në rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve të saj kudo ku ata ndodhen”.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha theksoi, “Ky samit nuk ishte thjesht një aktivitet treditor, por një thirrje e qartë për vazhdimësi, për përgjegjësi të përbashkët dhe për një angazhim më të madh në ruajtjen e identitetit dhe forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që ndodhen. Fryma e bashkëpunimit dhe vizioni i përbashkët që u ndërtua në këto ditë duhet të shndërrohen në veprime konkrete, për të garantuar një të ardhme më të denjë për brezat që vijnë”.

Me mbarimin e punimeve të Samitit, Grupi i Anëtarëve të KKD-së, me datë 16 Prill,  zhvilloi dhe aktivitete komplementare duke realizuar takime me krerë të institucioneve të larta shtetërore e politike. Ata vizituan Presidentin e Republikës, Z.Bajram Begaj, Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Z. Ilirjan Celibashi, Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Z. Skënder Gjinushi, Kryetarin e PD-së, Z. Sali Berisha, e të tjerë.

Për pjesëmarrjen në Samit si dhe aktivitetet e tij në përgjithësi, Lazim Destani në rrjetet e tij sociale shkruan:

Me përkushtim e krenari i mbyllëm punimet e Samitit të IV të Diasporës Shqiptare që u mbajt në Tiranë më 13–15 Prill, si dhe aktivitetet shtesë të Këshillit Koordinues të Diasporës që vazhduan edhe me datë 16 Prill.

Aktivitetet e këtyre ditëve, ku u zhvilluan një sërë panelesh diskutimi e takime, ishin ngjarje ku zëri i diasporës sonë u dëgjua fuqishëm dhe u bë pjesë e diskutimeve për ndërtimin e strategjisë kombëtare 2026 - 2030. Të jesh mes bashkatdhetarëve nga e gjithë bota, të ndash ide, shqetësime dhe vizione është një ndjenjë që të mbush me shpresë dhe përgjegjësi.

Ndër shumë takime pune me Ministra e Deputetë, si grup i KKD-së, patëm nderin e kënaqësinë të zhvillojmë takime me krerët e institucioneve të larta shtetërore e politike si, me Presidentin e Republikës, Z.Bajram Begaj, me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Z. Ilirjan Celibashi, me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Z. Skënder Gjinushi, me Kryetarin e PD-së, Z. Sali Berisha, e të tjerë.

Në të gjitha aktivitetet dhe takimet, u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare, potenciali i saj ekonomik e intelektual, si dhe mundësitë që diaspora ofron për zhvillimin e trojeve tona.

Në panelin e parë me temë “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkërisht?”, me pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm, Hoxha, si dhe politikanëve shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi, në emër të Këshillit Koordinues të Diasporës, ndër të tjera kërkova që diaspora të ketë vende të rezervuara në parlamentet tona. Besoj fuqishëm se diaspora meriton ta ketë zërin e saj aty ku merren vendimet. Kjo nuk është vetëm një çështje përfaqësimi, por një hap i rëndësishëm për ta bërë demokracinë tonë më të plotë dhe më gjithëpërfshirëse. Këtë çështje e diskutuam edhe në takime të veçanta me përfaqësues të lartë institucionalë, dhe me kënaqësi vura re se u prit me interes dhe seriozitet.

Gjatë Samitit, morëm pjesë dhe ndoqëm edhe shumë panele të tjera ku u zhvilluan diskutime për sportin, kulturën, artin, gjuhën shqipe, si dhe takuam e biseduam me mjaft miq nga diaspora jonë në mbarë botën.

Diaspora shqiptare është pjesë rëndësishme e kombit tonë, është forcë që duhet vlerësuar dhe përfshirë gjithnjë e më shumë në të gjitha proceset kombëtare.

Faleminderit të gjithëve për energjinë, përkushtimin dhe kontributin e gjithsecilit!

Next
Next

Tiranë / Lazim Destani merr pjesë në Samitin e IV të Diasporës