Dyzeldorf / Lazim Destani, në panelin me temë: “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut

Lazim Destani merr pjesë në panelin e diskutimit me temë: „Mundësitë e Investimeve të Huaja në Maqedoninë e Veriut“. Ky panel u mbajt në Dyzeldorf, organizuar nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Klubin Ekonomik të Dyseldorfit.

Kjo ngjarje mblodhi së bashku përfaqësues institucionesh dhe afaristë nga Maqedonia e Veriut me aktivitete biznesi në Gjermani si dhe afaristë gjermanë. Krahas Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Berlin, Ylber Sela, i pranishëm ishte këtu Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Çështje Europiane, Bekim Sali, i cili bëri një prezantim mbi potencialin ekonomik dhe mundësitë për investime huaja që ofron vendi.    

Gjatë fjalës së tij Sali nënvizoi peshën që ka Gjermania si partneri më i madh tregtar dhe një ndër investitorët kryesorë në vend. Ai vuri në dukje se në Maqedoninë e Veriut operojnë mbi 150 kompani gjermane me mbi 22 mijë të punësuar, që është një tregues domethënës për zhvillimin ekonomik të vendit. Me këtë rast ai shprehu përkushtimin e Qeverisë për krijimin e një mjedisi biznesor sa më të qëndrueshëm për rritjen e investimeve gjermane.   

Panelet si ky Lazim Destani i çmoi si mjaft të rëndësishëm pasi kjo është mënyra më e mirë për t’ua ofruar investitorëve të mundshëm informacionin e duhur e më të përshtatshëm  mbi këtë temë, pra mbi mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut.        

Për pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje, Lazim Destani në Facebook shkruan:

Këto ditë mora pjesë në një panel diskutimi me temë: “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut”. Takimi u mbajt në Dyzeldorf ndërsa u zhvillua diskutim i drejtpërdrejtë dhe strategjik mbi këtë temë që sot është kyçe për zhvillimin ekonomik dhe pozicionimin ndërkombëtar të vendit.

Rëndësinë e këtij paneli e dëshmoi pjesëmarrja e një grupi biznesmenësh nga vendi ynë dhe Gjermania, por edhe prania e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministër për Çështjet Europiane, Bekim Sali, që tregon përkushtimin serioz institucional ndaj tërheqjes së investimeve të huaja dhe avancimit të agjendës europiane.

Në këtë ngjarje, diskutimet nuk u kufizuan vetëm në aspektin teorik por u fol konkretisht për potencialin real ekonomik të vendit, për lehtësirat dhe reformat e ndërmarra, si dhe për nivelin e sigurisë dhe garancive që u ofrohen investitorëve të huaj.

Për mua si pjesëmarrës, ky ishte një moment i rëndësishëm për të vlerësuar nga afër se sa konkurruese është sot Maqedonia e Veriut në tregun ndërkombëtar të investimeve dhe cilët sektorë paraqesin mundësitë më të mëdha për zhvillim.

Nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ambasadorin Ylber Sela dhe në bashkëpunim me Wirtschaftsclub Düsseldorf, kjo ngjarje konfirmoi se dialogu i drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe biznesit është thelbësor.

Takimet e këtilla nuk janë vetëm diskutime, ato paraqesin platforma konkrete që ndërtojnë mirëbesim, krijojnë partneritete dhe hapin rrugën për investime reale dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Next
Next

Tiranë / MBYLLI PUNIMET SAMITI IV I DIASPORËS SHQIPTARE